Dr. Flamur Sofiu
Pa dyshim pamundësia e faljes së bajramit me xhemat ka nxitur shumë dijetarë të japin mendimet e tyre se a bën të falet Bajrami vetmas apo me familjen si xhemat nëpër shtëpi. Për këtë çështje juridike ka divergjenca ndërmjet dijetarëve islamë.
Para se të shpjegojmë divergjencat e dijetarëve për atë se a lejohet të falet namazi i bajramit në nëpër shtëpi qoftë vetmas apo bashkë me familje, ne e shohim të arsyeshme të shpjegojmë se si e shpjegon medhhebi hanefi çështjen e namazit të bajra- meve dhe se çfarë rregullash kanë përcaktuar dijetarët e këtij medhhebi. Sipas medhhebit hanefi namazi i bajrameve është vaxhib për atë të cilit i është farz xhumaja. Pra namazi i bajrameve është vaxhib për këta persona:
1. Për atë që është mashkull. Femra nuk e ka vaxhib namazin e bajrameve.
2. Ata që janë vendës në atë vend ku ka prijës, kadi apo myfti. Namazi bajrameve nuk është vaxhib për atë që konsiderohet udhëtar dhe që jeton në ato vende ku nuk ka prijës, kadi apo myfti.
3. Që personi të mos jetë i sëmurë. Personi i cili është i sëmurë dhe nuk mund të shkojë në xhami, nuk e ka obligim faljen e namazit të bajrameve.
Koha e namazit të bajrameve
Namazi i bajrameve mund të falet afërsisht njëzetë minuta pasi të ketë lindur dielli e deri para se të hyjë koha e namazit të drekës.
Mënyra e të falurit të namazit të bajrameve
Për namaze të bajrameve nuk këndohet ezani e as ikameti. Ky namaz përbëhet prej dy rekateve, njëjtë sikur namazi i sabahut, por dallon në atë se në këtë namaz është vaxhib të këndohen tekbiret. Këto tekbire këndohen në këtë mënyrë: tri tekbire këndohen pas leximit të subhanekes në rekatin e parë, pastaj lexohet fatihaja dhe sureja, ndërsa kur të ngrihemi në rekatin e dytë pasi të lexohet fatihaja dhe sureja këndohen tri tekbire. Po që se tekbiret lexohen para leximit ose pas leximit, namazi megjithatë konsiderohet i vlefshëm. Sa herë që të bëhen tekbiret duhet të ngrihen duart.
Hanefitë janë të mendimit se namazi i bajramit nuk duhet të falet nëpër shtëpi qoftë vetmas apo me xhemat të formuar me anëtarët e familjes.
Disa rregulla që kanë të bëjnë me namazin e bajrameve
1. Namazi i bajrameve ka shartet dhe ruknet sikur edhe namazet e tjera të zakonshme, mirëpo, nëse namazi i bajramit është duke u falur, musaliu nuk ka abdes dhe nuk i mjafton koha për të marrë abdes, atëherë, i tilli, duhet të marrë tejemmum për shkak se i është ngushtuar koha e faljes së bajramit.
2. Kur ndodh që musaliu të arrijë imamin pasi t’i ketë kryer tekbiret, në këtë rast musaliu do ta bëjë tekbirin fillestar e pastaj do t’i bëjë tekbiret e namazit të bajramit pa lexuar fare subhaneken. Nëse e arrin imamin në ruku, nëse ka mundësi i kryen tekbiret dhe shkon në ruku, e nëse nuk mundet, i bën në ruku.
3. Po që se musaliu e arrin imamin në rekatin e dytë, ai duhet ta plotësojë rekatin duke i kënduar edhe tekbiret.
4. Kur ndodh që imami të këndojë më tepër se tri tekbire muktediu duhet ta ndjekë doemos imamin.
5. Atij që i kalon namazi i bajramit pa e falur me imam, nuk duhet ta falë kaza.
6. Konsiderohet mekruh të falurit e namazeve nafile qoftë në shtëpi apo në xhami para se të falet bajrami, po ashtu, mekruh është të falet nafile pasi të jetë falur bajrami në xhami, ndërsa, në shtëpi, pasi të jetë falur bajrami nuk është mekruh të falësh namaz nafile.
7. Sunet është që pasi të falet bajrami të mbahet hutbeja.
Këndimi i tekbirit të teshrikut
Me shprehjen tekbiri teshrik nënkuptohen ato tekbire të cilat fillojnë të këndohen pas namazit të sabahut të ditës së Arefatit domethënë të natës së kurban bajramit dhe këto tekbire vazhdojnë të këndohen pas çdo namazi farz deri në farzin e ikindisë së ditës së katërt.
Të kënduarit e tekbiri teshrikut është vaxhib vetëm një herë, e po që se këndohet më tepër është mustehab.
Te ne në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës ka vepruar sipas medhhebit hanefi dhe ka konsideruar të arsyeshme që të mos falet bajrami nëpër shtëpi duke lutur Allahun që të mos mungojë shpërblimi i përcaktuar për namazin e Bajramit.
Gruaja kur të këndojë tekbiri teshrikun duhet të këndojë me zë të ulët.
Hutbeja e bajrameve
Të mbajturit e hutbesë është sunet. Hutbeja e bajramit për-bëhet prej dy hutbeve, sikurse hutbeja e xhumasë. Hatibi, hutbenë e bajramit e fillon me tekbire.
Qëndrimi i dijetareve të katër medhhebeve rreth asaj se a lejohet të falet namazi i bajramit nëpër shtëpi
Rreth kësaj çështjeje dijetarët mbajnë këto qëndrime:
1. Hanefitë janë të mendimit se namazi i bajramit nuk duhet të falet nëpër shtëpi qoftë vetmas apo me xhemat të formuar me anëtarët e familjes. Dijetari i mirënjohur hanefi Ibn Abidin r.a. shprehet duke thënë: “Nuk e fal vetmas (bajramin) ai të cilit i ka kaluar falja me imam.”
Hanefitë mendimin e tyre e mbështesin në këtë hadith: “Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: Pejgamberi na urdhëroi (ditën e Bajramit) t’i merrnim me vete edhe vajzat e reja. Në një transmetim tjetër përmendet: … t’i merrnim me vete edhe vajzat e reja, porse ato me menstruacione (të vinin, por) të mos bashkëngjiteshin në namaz.”.
Po ashtu duhet të përmendim edhe këto:
• Sipas medhhebit hanefi kur ndodh që kalon pa u falur namazi i bajramit me xhemat, nuk duhet të bëhet kaza.
• Gruaja nuk duhet ta falë namazin e bajramit në shtëpinë e saj.
• Bajramin e ka obligim mashkulli i cili e ka obligim xhumanë.
• Femra nuk duhet ta falë namazin e bajramit në shtëpinë e saj.
Sipas këtyre rregullave namazi i bajramit nuk duhet të falet vetmas në shtëpi, edhe po qe se falet, mund te jetë si namaz nafile.
2. Malikitë mendojnë se është e rekomanduar që personi ta bëjë kaza namazin e bajramit në shtëpi nëse nuk ka arritur ta falë me imam.
3. Shafiitë mendojnë se namazi i bajramit mund të falet vetmas në shtëpi, edhe ai që është udhëtar, rob e grua mund ta falë vetmas. Këtë mëndim të imam Shafiiut e transmeton El-Muznij në librin “Muhtesarul Umm”.
4. Hambelitë mendojnë se varet prej vullnetit të personit, nëse do, e fal vetmas e nëse do, e fal me xhemat në shtëpi. Por, dijetari i njohur hambeli el-Merdavi përmend se bajrami mund të falet në shtëpi si kaza. Mendimin e el-Merdavit e përkrah dhe Komisioni i Përhershëm për Fetva i Arabisë Saudite, që thotë se kush dëshiron ta falë bajramin, rekomandohet ta falë si kaza por pa u lexuar hytbeja.
Fetvat bashkëkohore rreth kësaj çështjeje janë të shumta, mirëpo të gjitha janë të dhëna sipas medhhebit që i përkasin myftinjtë e vendeve përkatëse. Që të gjithë ata myftinj që nuk janë hanefi japi fetva se lejohet falja e namazit të bajramit nëpër shtëpi, qoftë vetmas apo me familjen si xhemat.
Një prej çështjeve që duhet potencuar është se nuk lejohet të falet namazi i bajramit dhe namazet e tjera duke e përcjell imamin me anë të radios, televizionit apo lidhjeve elektronike, ngase namazi me xhemat nuk mund të kryhet nëse xhemati dhe imami nuk janë në të njëjtin vend apo në ndonjë vend që nuk ndahet xhemati ndërmjet vetes. Për këtë çështje, gati janë unanimë që të gjithë dijetarët dhe juristët myslimanë dhe mendimin e tyre e mbështesin në kuptimin e jashtëm të teksteve kuranore, haditheve dhe në praktikën e ashabëve dhe tabiinëve.
Te ne në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës ka vepruar sipas medhhebit hanefi dhe ka konsideruar të arsyeshme që të mos falet bajrami nëpër shtëpi duke lutur Allahun që të mos mungojë shpërblimi i përcaktuar për namazin e Bajramit, për shkak se rrethanat e pandemisë kanë penguar faljen e namazit të bajramit në xhami. Xhemati ynë nuk duhet të veprojë ndryshe pos asaj si urdhëron institucioni më i lartë fetar në vendin e që ky institucion është Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës.