Agron M. Rexhepi, MD, PhD
Me problematikën e madhe rreth prejardhjes së njeriut, fëmijët tanë për herë të parë njihen nga mësimet e lëndës së biologjisë.
Njohuritë teorike rreth këtyre temave, mjaft të rëndësishme, datojnë që nga shekulli XVIII dhe XIX, në kohën kur shkenca ende ishte nën ethet e injorancës kishtare të mesjetës, në kohën kur, si kundërpërgjigje ndaj ndikimit të kishës mesjetare, filozofit ateiste-materialiste kishin marrë hovin e zhvillimit të tyre dhe se këto teori pseudo-shkencore mbështeteshin në ateizëm, gjithnjë duke potencuar vetëm rastësinë e jo qëllimin. Fakti i ikjes nga realiteti bëri që këto teori të jenë jo të kapshme për mendjen e shëndosh dhe se të njëjtat të bien në kundërshtim me vetveten.
Andaj më poshtë do t’i bëjmë një qasje asaj që mësohet dhe që ishte dashtë të mësohej për origjinën e njeriut.
Me problemin e krijimit të jetës mbi Tokë merret një disiplinë e veçantë shkencore – biogjenetika. Përveç tjerash, kjo shkencë studion vjetërsinë e gjithësisë dhe Tokës, rrjedhën e krijimit të kushteve për jetë në Tokë, si dhe fillimin dhe zhvillimin e formave të ndryshme të jetës prej më primitives kah më e avancuara. Biogjenetika tenton që formimin e kushteve për jetë, fillimin dhe zhvillimin e jetës në Tokë, t’i shpjegoj përmes teorisë së evolucionit kimik dhe teorisë së evolucionit biologjik. Sipas teorisë evolutive, të gjitha qeniet e gjalla kanë prejardhje të përbashkët – monofiletike, ndërsa rruga deri te krijimi i formave të sotme jetësore është shumë e gjatë dhe kryesisht bazohet në formën adaptuese.
Teori kjo antishkencore, e falsifikuar për arritjen e qëllimeve të caktuara ideologjike dhe në shërbim të lëvizjeve të caktuara raciste.
Teori kjo e pa bazë, e cila duke mohuar faktin e krijimit bëri ndikim të konsiderueshëm negativ te njerëzit labil, i zhveshi nga ndjenja e vetme që i jep kuptim të vërtetë jetës – besimit në një Krijues. Ndërkaq, te njerëzit me mendje të kthjellët dhe besim të pastër veç sa iu përforcua kjo bindje.
Sa i përket prejardhjes së njeriut, fëmijët tanë e mësojnë teorinë e natyralistit amator anglez Çarls Darvinit, i cili në librin e tij “Origjina e llojeve” thotë se njeriu së bashku me majmunët dhe me gjysmë majmunët kanë origjinë prej një grupi të vjetër gjitarësh.4,5 Pranimi i teorisë së evolucionit ka hasur në vështirësi dhe kundërshtime të shumta të argumentuara: p.sh. njeriu mesatarisht jeton 70 vjet, ndërkaq për t’u realizuar ndryshimet e dukshme dhe të përhershme si pasojë e procesit të evolucionit nevojitet një periudhë e gjatë kohore prej 70 000 deri në mbi 700 000 vjet ndikimi të faktorëve të jashtëm evolutiv.
E keqja më e madhe është se shumica e profesorëve tanë, nga injoranca e tyre, teorinë e Darvinit nuk e shpjegojnë si një teori të zakonshme, por më tepër si një “fakt të argumentuar shkencërisht”.2 Nga kjo injorancë, e cila dita më ditë nga vetë shkenca dhe zbulimet arkeologjike po demantohet, më së tepërmi po pësojnë fëmijët tanë.
Pikëlidhjet ndërmjet teorisë evolutive dhe filozofisë ateiste-materialiste janë mohimi i ekzistimit të Krijuesit, potencimi i seleksionimit natyral, lufta e gjallesave për mbijetesë në natyrë – ku gjithnjë fitojnë vetëm më të fortit. Sipas kësaj logjike sataniste dhe raciste, të dobëtit gjithnjë do të zhdukeshin dhe herët a vonë në planetin tonë do të mbetej vetëm një lloj i të seleksionuarëve, të cilët gjithsesi prapë do t’i nënshtroheshin seleksionimit të vazhdueshëm deri në zhdukje. Racizëm i pastër!
Ndikim të fortë në përkrahësit e teorisë së evolucionit, në filozofët ateisto-materialist dhe në pasuesit e racizmit në përgjithësi, pati Malthusizmi. Nën ndikimin e ideve të Malthusit rreth problemeve të “tryezës së njerëzimit”, Darvini në shkrimet e veta propagandoj edhe esencën e teorisë evolutive – ndarjen e njerëzimit në lloje sipas ngjyrës (racës). Në bazë të kësaj ndarjeje, lloji i avancuar i njerëzve (raca e bardhë), me kohë, duhet të eliminoj llojin më të prapambetur të njerëzve gjatë ndryshimeve evolutive (racën e zezë).
Çfarë fascinomi do të përjetonte Darvini po të shihte përparimet teknologjike që ka arritur njeriu i sotëm, por sigurisht se zhgënjimi i tij do të ishte edhe më i madh kur do të shihte se në ato përparime marrin pjesë të gjithë njerëzit pa dallim ngjyre.
Një teori e tillë nga autorët e librave të biologjisë, nga të cilat mësojnë fëmijët tanë, vlerësohet se është mënyra më e drejtë e zgjedhjes së problematikës rreth origjinës së njeriut, duke mos u marrë me zbulimet e reja shkencore.
Shkencat që merren drejtpërsëdrejti me origjinën e njeriut janë: paleontologjia, paleoantropologjia, akeologjia, biologjia dhe antropogjeografia. Këto shkenca, me të madhe trumbetojnë se origjina e njeriut nuk rrjedh nga ndonjë lloj majmuni, por prej ndonjë pararendësi të tyre (antropoidi) që paraqet trung të përbashkët të njeriut me majmunin.1
Faktet për farefisninë e përbashkët ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve të tjerë, e sidomos grupit të gjitarëve, i mbështesin në disa ngjashmëri ndërmjet tyre, ndërsa dallimet ndërmjet tyre i shohin si pasoj e një evolucioni shumë të gjatë dhe kushteve të ndryshme ekologjike në të cilat jetojnë.
Ngjashmëritë ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve të tjerë, e sidomos të gjitarëve, i shohin përveç tjerash edhe:
- Në formën e embrionit në fazat e para të zhvillimit;
- Në renditjen dhe ndërtimin e skeletit dhe të muskujve;
- Në ngjashmërinë e ndërtimit të syrit, veshit dhe organeve nuhatëse;
- Në përbërjen e gjakut.
Ndërkaq, me dukurinë e atavizmit (dukuria e përsëritjes së disa cilësive që i kanë pasur të parët e njeriut, p.sh. fëmija me bisht, njeriu me fytyrë dhe trup të mbuluar me qime, njeriu me shumë palë të sisëve në regjionin e kraharorit dhe barkut), e shohin si të kryer punën e origjinës së njeriut.
Pikërisht rreth problematikës së origjinës së njeriut kanë filluar të “evoluojnë” mendimet e studiuesve, dhe si rezultat përçarjet ndërmjet tyre veç sa vijnë e rriten. Sipas një grupi studiuesish, në shpjegimin e shndërrimit të antropoidit në njeri dhe zhvillimit të tij të mëtutjeshëm, ka ndikuar fakti i ekzistimit të unitetit në natyrë, unitetit të jetës dhe unitetit të gjinisë njerëzore. Këta studiues e hedhin poshtë teorinë e origjinës poligjene (paraqitja e njeriut në kohë dhe vende të ndryshme të sipërfaqes së tokës) – teori kjo raciste. Ndërkaq e favorizojnë teorinë shkencore në bazë të së cilës gjinia njerëzore ka origjinë monogjene, është e njëlloj dhe është paraqitur në mënyrën e njëjtë dhe në të njëjtën kohë në fund të epokës së pliocenit dhe fillimit të epokës së pleistocenit. Sipas tyre, njeriu ka origjinë nga pjesët periferike të tre kontinenteve: kontinentit të vjetër, Azisë dhe Afrikës, dhe se në fillim forma e antropoidit ka ecur me katër gjymtyrët e veta, pastaj duke punuar vazhdimisht filloi të drejtoj qëndrimin e tij trupor dhe ecjen e vetë ta bëjë më tepër me gjymtyrët e prapme (këmbët), kurse të përparmet (duart) t’i përdorë për të punuar (mbledhja e frutave, mbrojtja, sulmi, dhe bërja e punëve tjera të nevojshme për të ekzistuar). Si duket edhe ky grup i studiuesve për bazë e përdor teorinë e paargumentuar të evolucionit të Çarls Darvinit (Charles Darwin), i cili në librin e tij “Origjina e llojit” thotë: “Njeriu asnjëherë s’do arrinte pozitën dominuese në botë pa përdorimin e duarve, si vegël pune që i nënshtrohet dëshirës së tij.”4
Përkrahësit e këtyre mendimeve, duhet kuptuar se asgjë nuk ekziston rastësisht dhe askush nuk e krijon vetveten. Rastësisht nuk mund të krijohen gjithë ata trupa qiellor me gjithë përmbajtjen e tyre. Rastësisht nuk mund të krijohet një rregull dhe ligj aq i përpiktë siç është rregulli dhe ligji i gjithësisë, ku çdo gjë lëvizë me shpejtësinë, drejtimin, precizitetin dhe qëllimin e caktuar, qysh prej miliona viteve – pa ndryshuar asgjë.
Më lartë përmendën fjalët “krijimi i formave të reja”, posa të përmendet fjala krijim vetvetiu nënkuptohet ekzistimi i Krijuesit. Shkencëtarët dhe veprimtarët tjerë mund të zbulojnë gjëra të ndryshme por assesi të krijojnë, meqenëse ata vetë janë të krijuar, e krijimi është kompetencë e vetëm Një Krijuesi.
T’i shqyrtojmë tani ngjashmëritë e cekura më lartë ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve (gjitarëve) të tjerë:
- Sa i përket formës së embrionit, në një fazë të zhvillimit, embrioni ka formën e shushunjës moçalike, a thua edhe kjo mund të përdoret si argument i laikëve për origjinën e njeriut? Para 14 shekujve, Krijuesi ynë përmes Fjalës së Vet na mësoi për formën dhe fazat e zhvillimit të embrionit të njeriut, të cilat shkencërisht u zbuluan në fund të shekullit XX, pas ditës së 42, embrioni e merr formën e njeriut.
- Sa i përket ngjashmërive ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve, respektivisht gjitarëve, në ndërtimin e skeletit, muskujve dhe disa organeve, nuk është diç e jashtëzakonshme, meqenëse edhe Krijuesi është i njëjtë, ndërkaq kushtet e jetës në Tokë për të gjitha krijesat (gjitarët) janë të ngjashme.
- Ngjashmëria e gjakut ndërmjet njeriut dhe gjitarëve tjerë mund të jetë vetëm në faktin se të dyja llojet, si trupa të nxehtë, e kanë këtë lëngë qarkullues në organizëm, ndërsa përbërja mikroskopike e gjakut flet për dallime të mëdha ndërmjet tyre. Sot, zbulimet gjenetike e hedhin poshtë mundësinë që gjenetikisht njeriu të ketë origjinën e përbashkët me gjitarët e tjerë.
- Po që se dukuria e atavizmit merret si dëshmi e fortë për farefisninë e përbashkët të njeriut dhe të gjitarëve të tjerë, atëherë çfarë të themi për lindjet e foshnjave të ashtuquajtura me kokë bretkose (pa pjesën frontale të kokës), për lindjet e binjakëve me trup të ngjitur, lindjet e fëmijëve pa ndonjë gjymtyrë, me hidrocefalus, apo lindja e hermafroditëve.
Padituria nuk është argument
“… ndërsa nga Dija (juve o njerëz) u është dhënë vetëm fare pak.”(Isra, 85)
Pavarësisht se përkrahësit e teorive dhe filozofive të marra, që i cekëm më lartë, pa ndërpre propagandojnë ateizmin dhe se të njëjtit janë në funksion të ideologjive – lëvizjeve të caktuara raciste, si dhe në shërbim të vetë djallit të mallkuar, jemi të vetëdijshëm se ndjenja e të besuarit në Një Allah është e mbjellë thellë në shpirtin e njeriut.3
Të paramendojmë sikur para një shekulli ta paralajmëronim njeriun se do të vije koha e fluturimeve në gjithësi apo e avancimeve të sotme teknologjike, a thua do të besonte?!
E, e njëjta krijesë që nga krijimi i vetë e gjerë më sot, pavarësisht nga ndërrimet e civilizimeve dhe të arriturave teknologjike, thellësisht beson në ekzistimin e Krijuesit të tij.
Nuk e sheh Atë, por i sheh argumentet e Tij;
Nuk e sheh Atë, por i beson të dërguarit e Tij;
Nuk e sheh Atë, por i pason udhëzimet e Tij;
Nuk e sheh Atë, por ka frikë-respekt dhe dashuri ndaj Tij.
Andaj, është koha e fundit kur fëmijët tanë duhet kursyer nga idetë dhe teoritë e falsifikuara dhe të tejkaluara, të cilat në vendet e zhvilluara të botës veçse i kanë hedhur poshtë si të pa baza dhe antishkencore. Ata duhet pajisur me njohuri të reja shkencore të cilat aspak nuk janë në dis-harmoni me mësimet që na i dha Krijuesi ynë përmes librit dhe të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.
Pse të mos fillohet me mësim-besim të fëmijëve tanë nëpër shkolla?
Çfarë të keqe kanë vendet e tjera të botës që aplikojnë këtë lëndë qysh para shumë kohe?
Përmes mësim-besimit do të njohim njëri-tjetrin më mirë, do të njohim Krijuesin tonë dhe nuk do të lejojmë varfërimin e shpirtit tonë.
Të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë dhe t’i mësojmë fëmijët tanë se kjo ekzistencë me të gjitha krijesat që jetojnë në të, është krijim i Allahut të Madhërishëm.
“Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë.” (Bekare, 29)
REFERENCA
E vërteta mbi origjinën e njeriut. Qasja në: http://geoprespa.wordpress.com/2010/06/28/e-verteta-mbi-origjinen-e-njeriut-2/ Data e qasjes: 08.08.2013
Prejardhja e njeriut. Qasja në http://unejetoj.org/unejetoj/prejardhja-e-njeriut-lajm-i-fundit/ data e qasjes: 08.08.2013
Mutahhari, M. Historia dhe evolucioni njerëzor. Qasja në: http://dielli.net/html/historiaevolucionit.htm Data e qasjes: 08.08.2013
Darwin, Ch. The origin of species. Qasja në: http://www.talkorigins.org/faqs/origin.html Data e qasjes: 09.07.2013
Human evolution. Qasja në: https://en.wikipedia.org/wiki/Human_evolution Data e qasjes: 01.08.2013