Rikthimi i xhamisë Ajasofia
Sulltan Mehmet Fatihu pas çlirimit të Kostandinopojës, më 29 maj 1453 e ktheu Ajasofian në xhami si simbol i çlirimit osman mbi qytetin. Ajo nuk ishte një kishë e zakonshme ngase kishte statusin e një bazilike dhe pronari i saj ishte Perandori i Bizantit. Ishte, pra, një simbol i Perandorisë Bizantine, e cila u mund nga otomanët.
Sulltan Fatihu e ktheu Kishën e Kostandinopojës në Xhami të Stambollit sepse ajo ishte, mbi të gjitha,
një simbol politik dhe shtetëror, dhe tek më pas një simbol fetar. Meqenëse Kostandinopoja u çlirua me luftë, edhe pse u ofrua mundësia që ajo të dorëzohej në mënyrë paqësore me marrëveshje, ishte e kuptueshme që sundimtari i perandorisë së re të heqë simbolet e perandorisë së mëparshme. Për këtë arsye, Mehmet Fatihu e ktheu Ajasofian në xhami si një simbol i shtetit të tij, dhe jo, siç thonë disa analistë, “për të poshtëruar të krishterët dhe besimin e tyre.”
Pas marrjes së Kostandinopojës në 1453, Sulltan Fatihu u dha fermanin e famshëm të krishterëve të Kostandinopojës, me anën e së cilës u garantoi atyre liri të plotë fetare. Në shtetin islam, sipas ligjeve të Kuranit dhe të Sheriatit, anëtarëve të feve të tjera u garantohet e drejta e ushtrimit të besimit të tyre. Veçanërisht hebrenjtë dhe të krishterët e kanë ruajtur identitetin e tyre, jo vetëm fetar, por edhe atë kulturor e atë kombëtar.
Sulltan Fatihu ishte një sundimtar jashtëzakonisht i drejtë, saktësisht siç përshkruhet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, i cili tha: “Vërtet, Kostandinopoja do të çlirohet! Sa prijës i mrekullueshëm, do të jetë prijësi i saj, e sa ushtri e mrekullueshme do të jetë ajo ushtri!”
Sipas dëshmisë së historianëve, Sulltan Fatihu i la të paprekura qindra kisha dhe manastire në Kostandinopojë dhe në afërsinë e saj dhe dhjetëra mijëra në zonën e Perandorisë së madhe Osmane që ai sundoi. E gjithë kjo mbeti e paprekur, dhe zgjati për të gjithë shekujt vijues, deri në fund të Shtetit Osman.
Xhamitë, të cilat janë kthyer nga kishat e marra me luftë, zakonisht quhen” fet’hije “. Në këtë lloj përfshihet edhe Ajasofia. Sikurse myslimanët, kështu vepruan edhe të krishterët. Xhamia e mrekullueshme umejade në Kordovë të Spanjës, pas marrjes së saj nga të krishterët, u shndërrua në një kishë, e cila edhe sot vazhdon të shërbej si e tillë. Asnjë nga të krishterët madje nuk e përmend xhaminë e Kordovës, as qindra xhami të tjera që janë shndërruar në kisha.
Ajasofia për më shumë se 400 vjet shërbeu si xhami, deri në vitin në 1934 kur Ataturku e ktheu në muze, i cili përçoi me këtë një mesazh: Turqia moderne është një vend laik! Më 24 korrik 2020 me faljen e namazit të xhumasë u bë edhe hapja zyrtare e Xhamisë Ajasofia. Ka pasur reagime të shumta në botë pro dhe kundër rihapjes së Ajasofias.
Prifti palestinez Manuel Musalam, për Ajasofian, thotë: “O të krishterë, një gjë keni parasysh! Presidenti Erdogan ia ngriti vlerën dhe peshën Ajasofias, e shndërroi atë, nga Muze në të cilën shkelnin njerëzit me këpucë, në Xhami. Aty lartësohet dhe lavdërohet emri i Zotit”.
Teologu dhe prifti gjerman, Br. Felix Körner, i përshkroi debatet dhe komentet negative për rihapjen e Ajasofias në Stamboll, si hipokrizi: “Kisha e Urtësisë së Shenjtë (Haghia Sophia) është humbur në 1453, kur u morr Stambolli, dhe ajo ka qenë një xhami që nga ajo kohë. Ne e humbëm Hagia Sophia për herë të dytë kur (nga xhami) ajo u shndërrua në një muze. Tani (duke e kthyer atë në një xhami) ne nuk e kemi humbur atë. Përkundrazi, ne duhet ta shohim këtë veprim si një përfitim për besimtarët”.
Prifti grek Evangelos Papanikolau duke folur në një kishë afër Athinës, tha: “Kush do ta mbronte objektin e madh siç është Ajasofia? Turqit e mbrojtën.” Ai theksoi se, gjatë qeverisjes së turqve, njerëzit kanë mundur lirshëm ta jetësojnë fenë e tyre. “Andaj njerëzit thoshin: Më shumë preferojmë të shohim çallmën turke, sesa kapelën latine.”
Hapja e Ajasofias është tregues i përpjekjeve të vazhdueshme turke për pavarësi, si në politikën e saj të brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme. Rihapja e Ajasofias për adhurim është një çështje kombëtare, e jo çështje e politikës së jashtme, – vlerëson Qeveria Turke. Ne mbështesim kthimin e Ajasofias në funksionin që dëshironte Sulltan Mehmet Fatihu, që ajo të jetë një vend lutjeje, adhurimi dhe lavdërimi i emrit të Zotit.
Osmanët e shndërruan Ajasofian në xhami, por nuk dëmtuan afresket, ikonat dhe mozaikët e krishtera brenda xhamisë. Qeveria turke ka deklaruar se do të vazhdojë t’i ruajë këto simbole fetare.
Dr. Ajni Sinani