Mr. Ragmi Destani
Festa e Kurban Bajramit si punë kryesore e ka namazin e Bajramit dhe therjen e Kurbanit, pastaj: përforcimin e lidhjeve familjare dhe shoqërore me urime dhe vizita ndërmjet vete, të ndihmojmë ata që kanë nevojë, të fusim gëzimin në zemrat e të gjithëve, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të mbizotërojë një atmosferë festive në këtë ditë etj.
Definicioni dhe dispozita e Kurbanit
Meqenëse Kurbani është simbolika kryesore e kësaj feste, atëherë të shohim disa rregulla dhe dispozita rreth tij. Definicioni i Kurbanit është: “Therrja e një kafshe të caktuar në kohë të caktuar dhe me nijet të caktuar”. Therja e Kurbanit u obligua në vitin e dytë pas hixhretit. Allahu në Kuran thotë: “Andaj ti falu dhe prej Kurban për Zotin tënd”.
Kurbani është obligim (vaxhib ) për çdo besimtar mysliman, moshë- rritur, mentalisht i shëndoshë dhe që ka pasuri të caktuar. Nëse dikush ka mundësi dhe nuk ther Kurbanin, ai bën mëkat dhe dënohet te Zoti. Me prerjen e Kurbanit obligohet çdo person që ka mundësi materiale sa, me prerjen (blerjen) e Kurbanit, të mos i rrezikohet buxheti i tij i nevojshëm familjar. Koha e therjes së Kurbanit është pas faljes së namazit të Bajramit dhe deri në fund të ditës së tretë të bajramit. Lejohet prerja edhe në netët e bajramit, por nuk është e lavdëruar.
Qëllimi i therjes së Kurbanit
Qëllimi i therjes së Kurbanit është:
1- Falënderimi i Zotit për të mirat dhe begatitë e tij, dhe kujdesi i të pasurve për të varfrit në ato ditë.
2- Për të shtuar dashurinë me anë të dhuratës së mishit; familjes, fqinjëve dhe të afërmeve.
3- Është obligim dhe simbol fetar, që njeriu të afrohet te Zoti dhe të shpresojë në mirësi dhe falje të mëkateve.
4- Këtu vërehet sinqeriteti i besimtarit ndaj urdhrave të Zotit, sepse therja bëhet vetëm për Allahun.
5- Jobesimtarët para islamit, thernin për idhujt e tyre, kurse myslimani ther për Allahun dhe ka dobi, etj.
Historiku i Kurbanit
Historiku i Kurbanit daton qysh nga njeriu i parë Ademi a.s. kur dy bijtë e tij, pasi u zunë për një çështje të caktuar, paraqitën kurbanet e tyre para Zotit. Pastaj idhujtarët gjatë gjithë historisë së njerëzimit Kurbanin e kishin simbol të sakrificave të tyre. Historia më e njohur për myslimanët është ajo e Pejgamberit Ibrahim a.s. me djalin e tij Ismailin a.s., feja islame Kurbanin e saj e bazon shumë në këtë ngjarje. Islami Kurbanin e legjitimoi dhe përcaktoi rregulla për të që të mos keqpërdoren as kafsha e as mishi.
Kafshët që vlejnë për Kurban
Kafshët që vlejnë për Kurban janë: deveja (5 vjet), lopa (2 vjet), delja- dhia (1 vjet) Delja e shëndoshë vlen nëse ka mbi 6 muaj. – Këtu bën pjesë edhe Buallica. Për kafshët e mëdha (devetë dhe lopët) lejohet që të marrin pjesë deri 7 vetë, të gjithë me nijet Kurbani. Kurse për të voglat vetëm një person. Por kryefamiljari mund të bëjë nijet për gjithë familjen e tij. Muhamedi a.s. ka thënë në therje të Kurbanit: “O Zot pranoje prej Muhamedit dhe familjes së Tij dhe prej gjithë besimtarëve!..”
Nëse dikush blen një lopë dhe e bën nijet vetëm për vete, nuk lejohet që pastaj dikush të marrë pjesë aty. Ndarja e mishit te kafsha e madhe duhet të bëhet me peshojë. Kafshët me të meta para blerjes nuk lejohet që të theren për Kurban e, nëse shfaqet pas blerjes, atëherë lejohet. Këto të meta janë: Kafsha e verbër me njërin sy ose të dytë — këmbën e thyer ose të dëmtuar, që nuk ecën – pa vesh ose nuk e ka shumicën e veshit — pa bisht ose nuk e ka shumicën e bishtit — pa bri ose nuk e ka shumicën e bririt — pa dhëmbë – e çmendur — e sëmurë që nuk ha etj. Nëse kafsha e blerë është me barrë mund të theret, nëse fryti i saj është i gjallë, atëherë atë e jep sadaka. Udhëtari dhe ai që nuk ka pasuri nuk obligohen me Kurban dhe nuk lejohet që i varfri të huazojë për të therë Kurban. Mishi i Kurbani mund të hahet i tëri me familje, mund të dhurohet i tëri dhe ka mundësi dhe është e preferuar që 1/3 të hahet me familje, 1/3 t’u dhurohet të afërmve dhe 1/3 atyre që nuk kanë prerë. Është mirë që nijetliu i Kurbanit vetë ta therë Kurbanin e, nëse nuk mundet, bën ta therë dikush tjetër, por nijetliu të prezantojë duke shikuar. Kurbani ka mundësi të theret edhe duke e autorizuar dike tjetër, ose të bësh pagesën e Kurbanit dhe të theret nëpër institucionet përkatëse (Bashkësitë Islame), që organizojnë therjen e kurbanëve dhe e shpërndajnë mishin nëpër të varfër dhe aty ku ka nevojë. Nëse e ther nëpërmjet kasapit, duhet ta paguajë me para dhe jo nga mishi i Kurbanit. Kur të theret Kurbani duhet të bëhet nijet para se të theret dhe të dihet se në emër të kujt po theret.
Disa rregulla të therjes së Kurbanit
Therja e Kurbanit ka disa rregulla e ato janë:
– Të përgatitë vendin
– të ushqehet Kurbani para therjes
– Të jetë mjeti i therjes i mprehtë
– Të thotë Bismilahi Allahu Ekber kur e pret
– Të kthehet kah kibla
-Të shqiptoj tekbiret e Kurban-Bajramit
– Të jetë qëllimi i besimtarit me këtë Kurban nënshtrimi i tij vetëm urdhrit të Zotit dhe jo mendjemadhësia ose ndonjë qëllim tjetër.
– Është mirë që të hajë nga mishi i Kurbanit të tij dhe t’u dhurojë të tjerëve, bile edhe fqinjëve jomyslimanë
– Është mirë që gjaku dhe mbeturinat të futen në dhe, nëse ka mundësi
– Të falen dy rekate nafile në shenjë falënderimi Zotit pas therjes së Kurbanit.
Kafsha që theret për Kurban lejohet të shfrytëzohet si p.sh. mjelja, bartja etj. por pa u dëmtuar. Nëse Kurbani humb ose vdes para se të theret, nëse ka pasuri, e blen tjetrin e, nëse jo, nuk obligohet.
A lejohet të theret Kurban për të vdekurin –
Për Kurban obligohen vetëm të gjallët — Kurse për të vdekurin është obligim vetëm nëse ka porositur. – Për të vdekurit nëse duam të presim, është mirë të bëhet në emër të sadakasë natën e Bajramit për të varfrit. – Por nëse duam të presim Kurban ditën e Bajramit për të vdekurit tanë, atëherë : “Prerjen dhe derdhjen e gjakut e bëjmë nijet për ne të gjallët, kurse sevapin e Kurbanit ua bëjmë hedije të vdekurve tanë pasi ta presim”.
Lëkura e Kurbanit duhet të jepet, por nëse dikush do ta shfrytëzojë për vete, atëherë duhet ta paguajë. Për Kurban-Bajram preferohet dhe është sunet që të agjërohet dita e Arafatit, kurse këto dhjetë ditë para bajramit duhet të kalohen me agjërim, pendim, lutje, istigfar, lexim të Kuranit, përmendje të Zotit, salavate mbi Pejgamberin a.s., bamirësi ndaj të tjerëve, veprime vullnetare të ndryshme, adhurime të përbashkëta me familje etj.
Tekbiret e teshrikut
Në këtë Bajram janë edhe tekbiret e teshrikut që duhet të shqiptohen pas çdo namazi farz, duke filluar nga sabahu i ditës së Arafatit e deri në iqindi të ditës së katërt të Bajramit, gjithsej 23 kohë namaz. Nëse dikush i harron pas namazit, atëherë i shqipton më vonë kur t’i kujtohet. Forma e tekbireve është: “Allahu ekber Allahu ekber — La ilahe il-lallah, vallahu ekber — Allahu ekber ve lil-lahilhamd.”