Muhamed Ebu Zehra
Imam Ebu Hanife lindi në vitin 80 hixhri në qytetin Kufe të Irakut të sotëm. Ai jetoi deri në vitin 150 hixhri kur edhe u nda nga kjo botë. Ai ishte i biri i Thabit ibnu Zuta El-Farisi, çka tregon se ai ishte me prejardhje persiane (nga Irani). Këtë e gjejmë edhe në shumë libra të dijetarëve të besueshëm, ku vërtetohet se ai nuk ishte as nga arabët e as nga babilonasit, por u përkiste persianëve.
Jeta e hershme e Ebu Hanifes
Ebu Hanife kaloi pjesën e hershme të jetës në qytetin Kufa, ku u edukua dhe jetoi pjesën më të gjatë të jetës. Aty mësoi, po aty veproi si mësues e edukues. Babai i tij ishte një tregtar si dhe një besimtar i sinqertë. Në shumë punime që flasin rreth Ebu Hanifes, gjejmë se babai i tij ishte takuar me Ali ibnu ebi Talibin r.a dhe ky ishte lutur për të dhe për pasardhësit e tij. Ebu Hanife vazhdoi rrugën e babait të tij, edhe ai shkonte në tregje dhe bënte tregti. Në fëmijërinë e hershme të tij ai zuri përmendsh Kuranin të tërin dhe ishte nga ata që praktikonte leximin e shumtë të Kuranit famëlartë. Rrëfehet se Ebu Hanife plotësonte leximin e tërë të Kuranit deri në gjashtëdhjetë herë gjatë muajit të Ramazanit.
Dijetarët nga të cilët Ebu Hanife zuri diturinë
Ebu Hanife në vendlindjen e tij Kufe mësoi nga shumë dijetarë të shquar të kohës në të cilën ai jetoi. Ai pas disa viteve qëndrimi në qytetin Kufe më pas e lë atë për një periudhë kohore në mënyrë që të vizitonte qytetin e Mekës për të kryer obligimin e Haxhit si dhe për zënien e diturisë. Ai aty ishte takuar me disa nga tabiintë (ata që kishin arritur shokët e Muhamedit a.s.) nga të cilët kishte marrë mësime dhe të cilët kishin nxënë mësim nga Ibn Abbasi r.a.
…… Rrëfehet në historinë e Bagdadit se një ditë Ebu Hanife kishte hyrë te mbreti i asaj kohe Ebu Xhafer El-Mensur ku gjendej edhe Isa ibn Musa, i cili po i thotë mbretit se ky është dijetari i kohës sot. Atëherë mbreti Mensur e pyet Ebu Hanifën se nga kush kishte nxënë mësimet? Ai iu përgjigj: Nga nxënësit e Omerit r.a, nxënësit e Aliut r.a, si dhe nga nxënësit e Abdullah ibnu Mes’udit, Zoti qoftë i kënaqur me ta.
Në vijim do te përmendim disa nga dijetaret prej te cilëve Ebu Hanife mori mësimet e tij:
Hamad ibn ebi Sulejman El-Esh’arij – Ebu Hanife nga Hamadi mori mësimet në shkencën e fikhut (jurisprudencës), si dhe vazhdoi mësimet me të deri në vdekje.
Ibrahim En-nah’ij dhe Eshsha’bij – Ebu Hanife mësimet në lëmin e fikhut i vijoi po ashtu edhe nga këta dy dijetarë, të cilët kishin mësuar fikhun nga imam Sherih, imam Alkame ibn Kajs, nga Mesruk ibn El-Exhda të cilët morën mësimet nga sahabët e njohur si: Abdullah ibn Mes’ud, Alij ibn Ebi Talib, Zoti qoftë i kënaqur me ta.
Ebu Muhamed Abdullah ibn El-Hasen ibn El-Hasen – Ebu Hanife ishte nxënës gjithashtu i këtij dijetari nga i cili zuri mësimet në lëmin e Hadithit, ai dallohej me besueshmërinë dhe sinqeritetin e tij.
Rrethanat kohore në të cilat u ballafaqua Imam Ebu Hanife
Imam Ebu Hanife jetoi kohën në të cilën shteti islam udhëhiqej nga mbreti Abdul Melik ibn Mervan. Gjejmë se Ebu Hanife jetoi pjesën më të gjatë të jetës në kohën e sundimit Emevi, të cilët erdhën në pushtet pas hulefai-rrashidin (Ebu Bekri, Omeri, Othmani, dhe Aliu, radijallahu anhum), dhe pjesën tjetër gjatë sundimit Abasij. Ebu Hanife jetoi në kohën kur shumë grupacione fetare e jofetare kishin filluar të formoheshin, si: El- Havarixh, Esh-shia, El-Kaderije, El-Murxhie, Ed-dehrije (ata që mohonin ekzistimin e Allahut) etj. Gjejmë se Ebu Hanife kishte zhvilluar dialog me 22 nga këto grupacione. Në një rast ai dialogoi me ateistët, atyre ua parashtroi një pyetje e cila kishte të bënte rreth njëshmërisë së Krijuesit, u tha: Çfarë thoni nëse ndokush nga njerëzit ju thotë: Kam parë një anije të stërmbushur me mallra, e cila lundronte në det, të cilën nuk e drejtonte askush. A mund ta pranojë mendja e shëndoshë një gjë të tillë? Ata iu përgjigjën: Jo, assesi një gjë e tillë nuk mund të jetë e mundur. Ebu Hanife po iu drejtohet atyre: I lartësuar është Ai i Cili krijoi dhe nënshtroi çdo gjë. Nëse mendja e shëndoshë nuk pranon lundrimin e anijes në det pa drejtuesin e saj, atëherë, si mund te ekzistojë kjo botë kaq e gjerë me të gjitha bukuritë e saj si dhe me ndryshimin e gjërave përbrenda saj pa pasur drejtuesin dhe mbikëqyrësin e saj.
Gjërat që bënë Imam Ebu Hanifen të ndalet në shkencën e Fikhut
Një ditë nxënësi i Ebu Hanifës, Ebu Jusufi e pyeste Ebu Hanifën se ç’e bëri që ta zgjedhte lëmin e fikhut? Imam Ebu Hanife iu përgjigj: Së pari falënderoj Allahun subhanehu we te’ala, dhe tek Ai mbështetem. Kur vendosa të studioja njërën nga shkencat islame i parashtroja të gjitha shkencat pranë vetes dhe filloja t’i lexoja njërën pas tjetrës. Kështu mendova dhe i bëra pyetje vetvetes nëse merrem me shkencën e Akidës (Besimit) gjeja se të diskutuarit e vazhdueshëm në gjërat me të cilat preokupohet kjo shkence të shpie në dëme dhe përfitimi nga ajo ishte i paktë, kështu e bën njeriun të mos gjejë guximin të flasë hapurazi rreth këtyre gjërave, dhe njeriu do të gjejë veten të ofenduar nga të tjerët, atij do t’i thuhet argumentues dhe folës nga mendja e tij. Më pastaj vazhdoja të hulumtoja e të lexoja në shkencën e letërsisë. Mirëpo në të gjeja se e tërë jeta do të më kalonte duke ua mësuar fëmijëve letërsinë dhe kjo nuk me pëlqente. Më pastaj vazhdoja leximin në shkencën e poezisë dhe vërejta që e tërë ajo shkencë përmban në vete lëvdata e tallje, fjalë e gënjeshtra, si dhe në të njëjtën kohë lojë me fenë. Pas kësaj fillova leximin në shkencën e Kiraeteve (metodologjive të leximit të Kuranit famëlartë) dhe i parashtroja pyetje vetvetes, pasi që ta përfundoj këtë lëmë do të has në vështirësi dhe njerëzit do të lexojnë nga ajo që kam punuar, dhe të punuarit në këtë drejtim nuk ishte fare i lehtë. Kur u ndala në shkencën e Hadithit vërejta se grumbullimi i haditheve të shumta kërkonte jetë të gjatë, në mënyrë që njerëzit të kenë dobi nga puna ime. Po ashtu vura re se njerëzit mund të më akuzojnë si gënjeshtar dhe memorizues i dobët, dhe kjo do të më atribuohet deri në ditën e gjykimit. Në fund zgjodha shkencën e Fikhut, sa herë që thellohesha në të, vetëm më bënte ta doja edhe aq më shumë, kështu që nuk gjeja në të asnjë të metë. Gjithashtu gjeja se të qëndruarit me dijetarë e juristë më bën të përfitoj nga dituria e tyre. Dhe nuk mund të jetë njeriu i përpiktë në kryerjen e obligimeve fetare vetëm nëse ai i përkushtohet këtij lëmi. Gjithashtu obligimet për të dy botërat nuk mund të plotësohen vetëm se me të.
Lëvdatat e dijetarëve drejtuar Ebu Hanifes
Nuk njeh historia e Jurisprudencës Islame personalitet më të shquar se Imam Ebu Hanifen. Mu për këtë edhe gjejmë Ebu Hanifen të emëruar me titullin Imamu El-A’dham (imami më i dalluar apo imami më i madh). Gjejmë autorë të shumtë të cilët kanë punuar punime të veçanta, të cilat kanë të bëjnë vetëm rreth personalitetit të lartë të Ebu Hanifes. Imam Shafiu për Ebu Hanifen kishte thënë: “Sikur të thoshte Ebu Hanifja për një gjë se është nga ari, ai do të arrinte ta argumentonte atë.” Bashkëkohësi i Ebu Hanifës, El-Fudeil ibn Ijad, i njohur për sinqeritet, thoshte: “Ishte Ebu Hanife njohës i mirë i Fikhut, bujar, i njohur për zemërgjerësinë e tij për çdonjërin që e vizitonte, durimtar në nxënien e diturisë ditë e natë, njëri që heshtte gjatë, fliste pak, nuk fliste veçse nëse i parashtrohej ndonjë çështje rreth hallallit dhe haramit, atëherë ai e sqaronte të vërtetën”. Gjejmë bashkëkohësin tjetër të tij i njohur gjithsesi për sinqeritet, Abdullah ibnu Mubarekun, i cili e cilëson Ebu Hanifen si “Truri i Diturisë”.
Transmetohet se Imam Ewzaiu, juristi i Shamit, i cili jetoi po në të njëjtën kohë me Ebu Hanifen, i tha njëherë Abdullah ibn Mubarekut: “Kush është ai shpikës për të cilin po flitet në Kufe që quhet Ebu Hanife? Ibn Mubareku i mllefosur nuk iu përgjigj, pas pak ky i fundit filloi t’ia citonte zgjedhjen e disa nga çështjet e ndërlikuara, pasi Evzaiu i dëgjoi disa nga këto gjëra, ibn Mubareku iu drejtua dhe e pyeti atë se kush është thënës i këtyre fjalëve? Ai iu përgjigj: Një dijetar për të cilin kishe dëgjuar në Kufe, me pastaj Evzaiu ia ktheu: Ky vërtet na qenka një nga dijetarët fisnikë, shko dhe merr nga dituria e tij aq sa të mundesh! Në një rast tjetër takohet imam Ebu Hanife me imam Evzaiun në Mekë, ku ata i diskutojnë po të njëjtat gjëra të cilat ibn Mubareku ia kishte treguar Evzaiut më parë. Pasi ata të dy u ndanë nga ajo ndeje, Evzaiu po i thotë Ibn Mubarekut: “Vërtet ia kisha lakminë këtij njeriu, ishte njohës i gjërave dhe mendjemprehtë, e lus Zotin të më falë, vërtet isha gabimtar i hapur, ngase ai ishte plotësisht ndryshe nga gjërat që më kishin treguar për të.”
Vdekja e Ebu Hanifes
Kur flasim për vdekjen e Ebu Hanifes dhe mënyrën se si atë e gjeti vdekja, gjejmë se pasi Ebu Hanife kishte refuzuar propozimin e mbretit Ebu Xhafer El-Mensur që të pranonte postin e gjykatësit suprem në shtet nga frika e përgjegjësisë së madhe, mu kjo bëhet shkak i acarimit të marrëdhënieve ndërmjet Ebu Hanifes dhe mbretit. Më pas gjërat shkojnë deri në atë masë sa mbreti Ebu Xhafer El-Mensur merr vendim për burgosjen e tij. Transmetuesit ndahen në dy mendime rreth asaj se si ai kishte vdekur: Disa thonë se Ebu Hanifen e kishte nxënë vdekja në burg pas torturimeve që kishte pësuar. Ndërsa të tjerët thonë se ai kishte vdekur i helmuar në burg. Mendimi i parë është më afër së vërtetës.
Ja se si e gjeti vdekja Ebu Hanifën. Ai vdiq ashtu siç vdesin të sinqertët e dëshmorët. Dhe ndodhi kjo në vitin 150 hixhri. Për sinqeritetin e Ebu Hanifes flasin edhe momentet e fundit të jetës kur ai porosiste të afërmit e tij që atë ta varrosnin në tokë të pastër, tokë në të cilën mbreti nuk e kishte pronësuar me forcë. Ebu Hanife ishte një personalitet që rrallëherë e kishte përsëritur historia islame. Ai veçohej me dituri të shumtë, me moral të lartë, si dhe me ndikim te gjerë tek njerëzit. Për këtë tregon edhe pjesëmarrja e madhe e banorëve të Bagdadit në varrimin e tij, numri i atyre arrinte deri në 50 mijë vetë. Aty gjendej edhe vetë mbreti Ebu Xhafer El-Mensuri. Është e pamundur të dihet qëllimi i prezantimit të tij, se a ishte shkak personaliteti i lartë i Ebu Hanifes apo për të kënaqur masën, kjo nuk është e mundur të dihet. Sidoqoftë, vdekja e Ebu Hanifes ishte një humbje e madhe për tërë myslimanët. Allahu e mëshiroftë këtë dijetar të madh!
Hasan ibn Amara ka thënë: “Pasha Allahun, ti ishe njeriu më i devotshëm dhe njeriu që e njihte fenë më së miri në kohën tonë, i kishe të gjitha tiparet e një njeriut të madh, ishe aq i madh saqë askush pas teje nuk do ta arrijë madhësinë tënde (në dituri dhe në fe).”
(Burimi: Imam Muhamed Ebu Zehra, Ebu Hanife hajatuhu we asruhu–arauhu we fikhuhu, daru el-fikr el-arabij).
Përshtati nga gjuha arabe: Dr. Berat Hashani