Artan Musliu
Jemi në muajin Rebiul Evel, apo siç njihet ndryshe edhe si Muaji i Mevludit. Mevlid do të thotë lindje dhe me të aludohet në lindjen e Muhamedit a.s.
Në këtë muaj jemi mësuar që të kemi akuza, ofendime, përqeshje, tallje, karikatura, e çka jo tjetër. Të gjitha këto me qëllimin e vetëm, atë të përqeshjes së figurës së ndritshme të Pejgamberit a.s.
E tërë kjo ngjallë urrejtje, nxitë fyerje, shkakton trazira dhe jo stabilitet në mesin e myslimanëve. Kjo po ashtu ngjallë reagime edhe në adresë të të parëve, pra në adresë të atyre që ofenduan figurën e Pejgamberit a.s.
Padyshim se kjo bëhet me qëllim të mirë, nga besimi dhe bindja fetare. Pra, myslimanët janë të bindur se, po nuk reaguan në mbrojtje të Pejgamberit a.s., atëherë ata frikësohen se nuk e kanë dëshmuar besimin e tyre. E me këtë do të kuptohet se në besimin e tyre ka mangësi.
Çdokush ka të drejtë të mendoj dhe të pyes se çfarë të keqe ka nëse veprohet kështu? Fundja, a nuk është obligim fetar që të mbrohet Pejgamberi a.s.?
Po, është e vërtetë se është obligim fetar, por qëllimi nuk e arsyeton mjetin. Thjesht, e mira nuk mund të mbrohet me të keqe.
Me këtë do të thotë se, nëse njeriu dëshiron që të bëjë ndonjë vepër të mirë, duhet ta gjejë edhe metodën, formën dhe mjetin e mirë, e pastaj ta kryejë atë vepër. Pra, nëse një njeri dëshiron që ta ndërtojë një xhami, nuk mund ta ndërtojë atë me para të vjedhur, me para të fituara në mënyrë të jashtëligjshme apo të falsifikuara. Po ashtu, nëse një njeri dëshiron të shkojë në Qabe për ta kryer haxhin, ai nuk mund të shkojë me para të bixhozit, drogës apo prostitucionit.
Pse?
Sepse qëllimi nuk e arsyeton mjetin. Pra, me këtë, neve nuk na lejohet që të mirën ta mbrojmë me të keqe.
Në rastin tonë, qëllimi ynë është mbrojtja e Pejgamberit a.s. Ky është qëllimi më fisnik dhe më i ndershëm që ka çdonjëri prej nesh. Këtu nuk kemi asnjë dyshim dhe asnjë problem, nëse do të duhej të vepronim në këtë mënyrë. Por, problemi ynë është te mjeti, te forma dhe mënyra që kemi përzgjedhur dhe që jemi duke përdorur për ta mbrojtur Pejgamberin a.s. Shtrohet pyetja, a mbrohet me fyerje një Pejgamber, i cili tregon se është dërguar për të plotësuar normat e moralit, një Pejgamber për të cilin ka thënë Zoti se është me normat më të larta të moralit?!
Një Pejgamber që përgjatë gjithë jetës së tij bëri thirrje dhe predikoi për ruajtjen e gjuhës, derisa fjalën e bukur e trajtoi si lëmoshë, e si mund të mbrohet ky duke sharë e duke ofenduar?!
Një Pejgamber që kishte përkufizuar myslimanin si një njeri, nga dora dhe gjuha e së cilit janë të shpëtuar dhe të kursyer myslimanët e tjerë, e si mund të mbrohet i tilli me sharje e me fyerje?!
Andaj, Pejgamberi a.s. nuk ka nevojë për sharjet tona, fyerjet tona, gjuhën vulgare dhe sjelljet prej vagabondësh që ne bëjmë. Ne na duhet mirësjellja, shëmbëlltyra, edukata, morali e etika që kishte Pejgamberi ynë a.s.
Zoti xh.sh. na ka treguar se çka do të gjejmë te Pejgamberi a.s., Ai na ka treguar se tek ai kemi shëmbëlltyrën më të mirë, andaj assesi nuk guxon të jetë e kundërta.
Jam i bindur se forma më e mirë për ta mbrojtur Pejgamberin a.s. është ndjekja e shembullit të tij, pasimi i sjelljes së tij dhe praktikimi i fjalëve dhe i mësimeve të tij. Kështu ne do të arrinim tri kënaqësi:
E para, me ndjekjen e shembullit dhe të traditës së Pejgamberit a.s, ne do të arrinim kënaqësinë e Zotit xh.sh.;
E dyta, me pasimin e mësimeve dhe sjelljes së tij, ne do të arrinim kënaqësinë e Pejgamberit a.s.;
E treta, me mirësjelljen tonë do të përfitonim zemrat e njerëzve dhe kjo do të bëhej shkak që të arrinim kënaqësinë e tyre. Mos të harrojmë se prej nesh kërkohet që, të keqen ta kthejmë me të mirë. Andaj, a do të ishim në gjendje që, sa herë që dikush ta ofendojë Pejgamberin a.s., ne ta sfidojmë atë, që si kundërpërgjigje, ne të mësojmë diçka më shumë për Pejgamberin a.s. Të mësojmë nga thëniet e tij, nga sjellja dhe morali i tij, nga jeta e tij fisnike, të mësojmë e ta vëmë në praktikë atë. Krejt në fund, mos të harrojmë se, në shumicën e rasteve, predikimi praktik ka qenë shumë më efektiv sesa ai teorik.