Mr. Driton Arifi
Në parim, sa herë që myslimanët përjetonin thatësira dhe mungesë të shiut, i drejtoheshin Allahut me lutje e përgjërim, duke qenë të bindur se Ai është pronari i thesareve të qiellit dhe të tokës, si dhe Ai me fuqinë dhe mëshirën e Tij mund të zbresë shi nga qielli kur Ai të dëshiroi. Kjo madje ishte dera e vetme e hapur që e mendonin brezat tanë të kaluar. Mirëpo, nga fillimi i shekullit të kaluar, me avancimin e shkencës dhe të teknologjisë, njeriu filloi të kërkojë alternativa të tjera për ta realizuar të njëjtin synim. Gjenerata e shekullit të kaluar arriti të bëjë zbulime të disa mënyrave të reja, me anë të të cilave u synua dhe u kërkua zbritja e shiut nga qielli. Kjo, natyrisht se u proklamua edhe si një lloj alternative e re moderne, e cila sipas tyre do ta “zëvendësonte” namazin dhe lutjen drejtuar Allahut për këtë synim. S’është fare paradoksal fakti që, këto zbulime nuk u bënë dhe nuk u arritën prej myslimanëve, ani pse tashmë edhe mund të përdoren aty-këtu edhe prej tyre.
Nëse namazin ose lutjen për zbritjen e shiut, në literaturën juridike islame e gjejmë të emërtuar me termin el-istiskau, atëherë ndjelljen ose kërkimin e zbritjes së shiut me mjetet artificiale, rëndom e gjejmë të emërtuar si el-istiskau.[1] Por, ndonjëherë ndodh që të dyja shprehjet t’i gjejmë të përdorura për lutjen dhe namazin për shi. Megjithatë, në terminologjinë shkencore të hidrogjeologjisë, shprehjen el-istiskau, e gjejmë ekuivalente me shprehjen e gjuhës angleze “reinmaking”. Në gjuhën shqipe, ky proces, më së shpeshti është emërtuar si “shiu artificial”, ani pse që të dyja termet, qoftë ai në gjuhën angleze, apo edhe ky në gjuhën shqipe, në fakt janë joadekuatë për pikëpamjen juridike islame, siç do të vërejmë edhe më vonë nga trajtimi ynë i mëtutjeshëm i kësaj teme.
Saktësisht, me termin “shi artificial” është për qëllim procesi i injektimit të disa materieve kimike brenda reve, re të cilat paraprakisht kanë qenë të formuara në qiell, me qëllim të intensifikimit apo zbritjes së sasisë sa më të madhe të shiut.[2] Pra, kemi të bëjmë me zbritjen e shiut nëpërmjet instalimit apo injektimit të disa preparateve apo materieve kimike brenda reve, e të cilat mundësojnë intensifikimin e grimcave të akullit në re.
I tërë procesi në fjalë, paraqet njërën nga arritjet më të avancuara shkencore, enkas në sferën e ashtuquajtur “modification weather – modifikimit klimatik”. Kjo pa dyshim llogaritet se përbën njërin prej hapave më të vrullshëm të zhvillimit teknologjik-shkencor në fushën e hidrogjeologjisë.
Materia që përdoret në këtë fushë, me një efikasitet relativisht të theksuar është elementi i ashtuquajtur joduri i argjendit (silver iodide), duke ia bashkëngjitur edhe klorurin e kalciumit – KCI (potassium chlorhide). Kjo pastaj rezulton në lehtësimin e grumbullimit dhe intensifikimit të reve, në mënyrë që në vijim të mundësohet zbritja e shiut në sasi më të mëdha dhe më të dendura.
Kjo bëhet në bazë të një metodologjie të kulluar teknologjie e shkencore, të cilën njeriu, për herë të parë arriti ta realizojë diku në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Më saktësisht, në vitin 1931, Zelanda e Re ka arritur që të bëjë përdorimin e kësaj metodologjie për herë të parë në nivel global. [3]Më pas vazhdoi të përdoret edhe nga shumica e vendeve të zhvilluara në botë. Sot, kjo realizohet nëpërmjet aeroplanëve fluturues, të ashtuquajtur “rain bird – zogjtë e shiut”, të cilët ngarkohen në tokë me këtë materie, e të cilët pastaj me shkrepje flakëruese i ngarkojnë – injektojnë të njëjtat materie brenda reve në qiell.
Metoda e dytë, realizohet prej pistave të caktuar në tokë. Nga to, bëhet gjuajtja apo hedhja e predhave – raketave, tokë – ajër, me të njëjtat materie në drejtim të qiellit, në mënyrë që të bëhet goditja e reve me to dhe shpërndarja e materieve kimike brenda tyre.
Metoda e tretë, është ajo e përdorimit të rrezeve laserike, e cila realizohet po ashtu nga qendrat e specializuara për këtë mision, të cilat gjenden në pika të caktuara mbi sipërfaqe të tokës. Kjo metodologji, në fakt është më e reja dhe krejt e fundit. Ajo është përdorur në fund të shekullit të kaluar ose në fillim të këtij shekulli.[4]
Që të tri metodologjitë kanë për qëllim përshpejtimin dhe intensifikimit e zbritjes së shiut, ose eventualisht shmangien e zbritjes së breshrit nga qielli, i cili natyrisht se rrezikon rendimentet e kultivuara në tokë.
Megjithatë, nëse i referohemi vetë emërtimit, duhet tërhequr vëmendjen se ky shi që zbret nga qielli si rezultat i këtij procesi, nuk është e drejtë të emërtohet si “shi artificial”. Shiu ka qenë dhe do të mbetet i natyrshëm. I tërë procesi teknologjik-shkencor, më së shumti që mund të bëjë është të ndjellë, përshpejtojë ose intensifikojë zbritjen e shiut, i cili veçse ka ekzistuar brenda reve, të cilat pa dyshim se kanë qenë paraprakisht të formuara në qiell nga Allahu i Plotfuqishëm.
Është Allahu i cili e bënë krijimin e reve, grumbullimin e ngjeshjen e tyre, pastaj përgatitjen e temperaturës qiellore për zbritjen e shiut. Këtë fakt e dëshmon Ai në një ajet kuranor, ku thotë: “A nuk e vëren ti se, Allahu i shtynë ngadalë retë, e pastaj i bashkon e i grumbullon njërën mbi tjetrën, e ti sheh shiun si del nga mesi i tyre dhe bie nga qielli. Ai prej reve të mëdha si mali lëshon breshrin, e me të goditë kë të dojë, kurse e shmangë prej kujt të dojë. Shkëlqimi i vetëtimës së tij, gati t’i merr sytë.” (En Nur, 43)
Dijetari i famshëm islam, Abdulmexhid Ez Zendani, duke e komentuar këtë ajet, i referohet fjalëve të shefit të katedrës së astronomisë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Kajros, dr. Xhemaluddin Efendija, i cili ka thënë: “Ky ajet vlen të përmendet në vargun e literaturës shkencore për shkak të përshkrimit të vet. Nga karakteristikat e reve të dendura numërohet edhe kjo se, ato shtrihen në lartësi deri në 15 km, e madje edhe më lartë. Prandaj edhe atij që i vështron, i duken sikur kodra të mëdha. Rasti për zhvillimin e reve të dendura është përmes shtresave të ajrit, temperatura e së cilave ka ndryshime të mëdha. Kështu vjen deri te krijimin i majeve, e të cilat krijojnë më pastaj akullin. Prandaj vetëm retë e dendura mund të krijojnë akullin, dhe kjo është e vërtetë e cila komentohet me fjalët e Allahut të Lartësuar…”[5]
Po ashtu, komentatori i mirënjohur i Kuranit, Ebu Bekër El Xhessasi, përkitazi me këtë çështje ka thënë: “Zbritja e shiut është argument i qartë për njëshmërinë e Allahut, në aspekt të asaj që secili njeri racional e kupton dhe e di që në natyrën e ujit është që ai të zbresë (nga lart-poshtë) dhe të rrjedhë. Andaj, logjikisht nuk mund të ndodh ngritja e ujit nga poshtë-lart, përpos nëpërmjet fuqisë së një shkaktuesi – lëvizësi, që e mundëson një gjë të tillë. Kështu që, me ujin i cili gjendet në re, doemos se ka ndodhur njëri prej këtyre dy fenomeneve:
- Ai ujë është i krijuar aty në re, të cilin e ka krijuar Krijuesi brenda tyre, ose
- Është ngritur lart në qiell nga burimet e tij në tokë apo nga detet.
Cilado alternativë që të ketë ndodhur, kjo tregon për ekzistencën e Allahut Fuqiplotë dhe njeshmërinë e Tij, për të Cilin asgjë nuk është e pamundur. Përveç kësaj, është pastaj edhe mbajtja e ujit në re (që të mos bie), në mënyrë që ta lëvizë atë deri te pozicionet të cilat Ai i dëshiron nëpërmjet erërave të destinuara enkas për këtë mision. Kështu pra, Ai i bëri retë që të formojnë brenda tyre shiun – ujin, ndërsa i bëri erërat ato që formojnë retë paraprakisht, e të cilat i lëvizë nga një pozicion në tjetrin, në mënyrë që të shpërndahet dobia e shiut – ujit te mbarë krijesat e Tij, siç thotë vetë Allahu në Kuran: “Si nuk e kanë parë ata se, Ne e sjellim ujin në tokën e thatë dhe me të nxjerrim bimë, që prej tyre ushqehen kafshët e tyre, bile edhe ata vetë. A nuk janë duke parë (kuptojnë)? (Es Sexhde, 27)[6]
Pra, i gjithë procesi i formimit, lëvizjes së reve, formimit të shiut në to, e pastaj shpërndarjes së tij, përbëjnë fakte dhe mrekulli që besimtari mahnitet me to sa herë që mediton në thellësi rreth detajeve të tyre dhe rrjedhimisht me këtë, i shtohet besimi që ai ka në Zotin Një. Andaj, është arrogancë dhe mosmirënjohje ndaj Krijuesit, nëse ndokush mendon që është i denjë për falënderim faktori njeri apo arritjet e tij shkencore për zbritjen e të ashtuquajturin “shi artificial”.
Muhamedi a.s. na e ka tërhequr vërejtjen qysh herët, duke na ndaluar që ne t’ia atribuojmë zbritjen e shiut dikujt tjetër pos Allahut, sepse kjo bie ndesh me besimin e kulluar islam. Hadithe të kësaj natyre ka shumë. Njërin prej tyre e gjejmë edhe në dy koleksionet e sakta të hadithit.
Transmetohet nga Zejd ibën Halid el Xhuhenij, se ka thënë: “Na e fali i Dërguari i Allahut namazin e sabahut në Hudejbije pas një nate që kishte rënë shi. Kur e përfundoi ai namazin, u kthye me fytyrë kah njerëzit dhe tha: “A e dini se çfarë ka thënë Zoti juaj?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë (e ne jo)”, pastaj ai tha: “ (Zoti tha) Sot gdhiu dikush nga robërit e Mi besimtar, e dikush nga ta jobesimtar në Mua. Ai që tha, ra shi mbi neve me begatinë dhe mëshirën e Allahut, ky është që gdhiu besimtar në Mua, e mohues (i fuqisë së planetëve – yjeve), ndërsa ai që tha se, po bie shi për shkak të këtij apo atij planeti – ylli, ai është mohues Imi dhe besimtar në planetë – yje.”[7]
Në kontekst të interpretimit të këtij hadithi, Ibën Haxher el Askalani thotë: “Në kohën e injorancës, njerëzit mendonin se zbritja e shiut bëhet nëpërmjet ndonjë ylli të caktuar (sipas tyre, yjet dhe planetët shkaktonin zbritjen e shiut), dhe kjo, ose duke qenë ato yje shkaktarë për zbritjen e shuit, ose duke i marrë si simbole e shenja për zbritjen e tij. Këtë perceptim të tyre e hodhi poshtë sheriati islam, duke e llogaritur atë si mohim – kufër. Pra, nëse dikush prej tyre pretendon se një yll i caktuar, apo planet, ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të pavarur (nga fuqia e Zotit) ndikon në zbritjen e shiut, ky është mohim politeist – kufër i shirkut…”[8]
Pra, në kohën e injorancën para islame, idhujtarët ia mveshnin zbritjen e shiut planetëve dhe yjeve të caktuar, e që më pastaj, ky perceptim dhe kjo bindje u cilësua nga i Dërguari i Allahut a.s., si mohim – kufër dhe idhujtari. Kjo ngase yjet dhe planetët lëvizin vetëm me fuqinë e Allahut, Krijuesit të tyre, e kurrsesi në mënyrë të pavarur dhe pa ndihmën e Tij.
Edhe sot, duke u nisur nga i njëjti hadith, duhet të themi të njëjtën gjë, sepse në qoftë se me ndonjë mënyrë shkencore arrihet që të përshpejtohet ose intensifikohet zbritja e shiut, duhet të jemi të bindur se kjo ndodh vetëm me dëshirën dhe vullnetin e Allahut.
Norma dhe qëndrimi juridik islam lidhur me përdorimin e mekanizmave teknologjik për përshpejtimin e zbritjes së shiut
Pas trajtesës paraprake, duhet patjetër të vijmë edhe te qëndrimi juridik islam për këtë proces që ishte subjekt i shqyrtimit tonë.
Në ditët e para të përdorimit të kësaj metodologjie, shumë nga dijetarët bashkëkohorë islamë, patën rezervat e tyre të theksuara karshi këtij procesi. Madje prej tyre kishte edhe që e kishin ndaluar atë, pa e detajuar dhe pa shqyrtuar asnjë element të tij. Këtë qëndrim ata e kishin me pretekstin se kjo bie ndesh me faktin që Allahu është Ai që e zbret shiun dhe vetëm Ai e di se ku dhe kur zbret. Andaj, si rrjedhojë njeriu nuk ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Në mesin e shumë argumenteve që ata i kishin si referencë, është edhe ajeti kuranor ku Allahu thotë: “A po e shihni (atë) ujë që e pini?! A mos e lëshoni ju prej reve apo Ne e lëshojmë?! Nëse duam Ne, do ta bëjmë atë të njelmët, e përse nuk falënderoni?” (El Vakiah, 68-70)
Nisur nga ky ajet, këta dijetarë thanë se, nëse ne e bëjmë gjuajtjen e reve me qëllim të zbritjes së shiut, sikur po bëhemi ne ata që po e lëshojmë shiun, ndërsa në lidhje me këtë, Allahu qartazi ka theksuar në Kuran se është Ai që e lëshon atë nga qielli.[9]
Megjithatë, shumica dërmuese e dijetarëve eminentë bashkëkohorë, pastaj komisionet për fetva pranë Ministrive të Fesë në shtetet islamike, theksuan mendimin e tyre se, përdorimi i mjeteve teknologjike për përshpejtimin ose intensifikimin e zbritjes së shiut nga qielli është parimisht i lejuar dhe nuk fare nuk bie ndesh me parimet e besimit islam. Veçanërisht nëse konfirmohet në mënyrë të sigurt se materialet e tilla, që injektohen brenda reve nuk kanë ndonjë dëm të caktuar për njerëzit në tokë. Kjo pra, nuk e bënë këtë veprim të ndaluar dhe sipas të njëjtëve, një gjë e tillë lejohet pa kurrfarë të keqeje. Ky është mendimi më i saktë dhe më afër së vërtetës. Krejt në fund duhet përmendur fakti se, këto arritje shkencore e teknologjike në fushën e hidrogjeologjisë, nuk e zëvendësojnë porosinë dhe preferencën islame që në kohën e thatësisë ne të lutemi për shi tek Allahu, të pendohemi për mëkatet tona, duke kërkuar falje tek Allahu për to. Kjo ka qenë dhe do të mbetet rruga e parë që besimtarët myslimanë do ta përdorin deri në Ditën e Gjykimit, sa herë që ata e ndiejnë nevojën për zbritjen e shiut. Ani pse, ne nuk refuzojmë të përdorim edhe metodologji të tjera shkencore, të cilat në ndonjë formë apo tjetër, do të sillni dobi për njeriun në tokë. [10]
[1] Shprehja el-istiskau në aspektin gjuhësor ka dy kuptime gjuhësore që ndërlidhen me anën terminologjike të fjalës:
E para: Kërkim i shiut, dhe
E dyta: Nevoja për shi. Natyrisht kjo fjalë ka edhe kuptime të tjera dytësore, por që nuk kanë ndërlidhen me anën terminologjike të kësaj shprehje që ne e kemi në fokus të trajtimit tonë.
Shih:El Fejjumij, El Misbah El Munir fi Garib Esh Sherh El Kebir (1/281). Bot. i dytë. Dar El Mearif. Bejrut. 2009.
[2] El Istimtar Es Sinaijj lis Suhub Vifk El Mendhur Esh Sherijj, dr. Hejfa Abdu Ez Zubejdij (Ligjëruese në Universitetin e Bagdadit). Punimin e ka publikuar për revistën “Mexhel letu El Ustadh Lil Ulum El Insanijje vel Ixhtimaijje. Shih linkun: “.https://search.emarefa.net/detail/BIM-309024.
[3] Abdullah el Misnid, http:/www.almisnid.com/almisnid/article-37.html
[4] Nassar Mensur Muhamed Abdurrahim, El Istimtar Es Sinaij ve Meukif es Sunneh minhu (fq.610-613). Punim shkencor i publikuar në revistën shkencore “El Bejan” (Numri-1. vëll. 14), të Universitetit të Az’harit, dega në Kanna- viti 2014.
[5] Ez Zendani, Njeshmëria e Krijuesit (fq.423-424). Bot. i parë. Shtypshkronja PHOENIX. Prishtinë, 2000.
[6] Ebu Bekr el Xhessas, Ahkam el Kuran (1/145-146). Bot. i parë. Daru El Fikr. Bejrut, 2014.
[7] Hadithi është muttefekun alejhi. Buhariu (nr:1038), Muslimi (nr: 125), e të tjerë.
[8] Ibën el Askalanij, Fet’h El Barij (2\524). Bot. i parë. Dar el Hadith. Kajro, 1998.
[9] El Istimtar es Sinaijj lis Suhub Vifk El Mendhur Esh Sherijj, dr. Hejfa Abdu ez Zubejdij
(Ligjëruese në Universitetin e Bagdadit). Punimin e ka publikuar për revistën “ Mexhel letu El Ustadh Lil Ulum El Insanijje vel Ixhtimaijje. Shih linkun: “.https://search.emarefa.net/detail/BIM-309024.
[9] Abdullah el Misnid, http://www.almisnid.com/almisnid/article-37.html
[10] Referuar edhe në hulumtimin shkencor “Hukmu wl Istimtar Fil Islam”, i autorit dr. Jasin Muhamed El Gadij. Botuar në revistën kuvajtase “Esh Sheri’a ved Dirasat El Islamijje” viti 1423 lunar.