Pranimi i Islamit
Ai ka mbjell qetësi dhe i ka mbushur zemrat tona me siguri, kënaqësi, besim dhe shpresë.
Populli shqiptar e ka pranuar Islamin jo nën tehun e shpatës apo me forcë, por vullnetarisht dhe me vetë dëshirë. Me pasuri, forcë apo pushtet mund të kontrollohet trupi, por me to nuk mund të kontrollohet zemra dhe as të arrihet nëpërmjet tyre te shpirti. Ka kaluar koha kur propaganda komuniste e përshkruante fenë si opium, por megjithatë ende vazhdon propaganda anti-islame. Sipas studiuesve objektiv botëror, Perandoria Osmane ishte një përzierje e identiteteve dhe feve të ndryshme në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme. Ajo ishte një qendër e tolerancës, paqes dhe stabilitetit politik gjatë pesë shekujve të ekzistencës së saj.
Aty ku është rrënjosur tradita islame, aty është e fuqishme ndjenja për identitet. Duke iu falënderuar traditës islame, në pjesët ku ka pasur medrese dhe besimtarë myslimanë, aty ka qenë më e fuqishme dhe më e shquar ndjenja për identitet vetanak. Të gjithë ata që ishin myslimanë dhe që kishin kryer shkollat fetare, të frymëzuar me fe, të pajisur me dije, me shpirt të gjallë, kanë punuar për ta përhapur idenë dhe frymën islame për ruajtjen e nderit, fjalës, besës, traditës dhe të identitetit tonë.
Historianë të indoktrinuar kanë përhapur të pavërteta sipas së cilave, pranimi i Islamit ka qenë i imponuar. Është fakt se osmanlinjtë nuk kanë pasur kurrfarë arsye nga aspekti material për t’i detyruar jomyslimanët që ta pranojnë Islamin. Çdo pranim i Islamit nga ana e një jomyslimani do të thoshte humbje e taksave që ai ia paguante shtetit islam për shkak të mbrojtjes që ai e gëzonte nga ana e shtetit mysliman. Me këtë, shteti humbiste një pjesë të rëndësishme të të ardhurave.
Andaj, pranimi i Islamit ka qenë individual dhe me vetë dëshirë. Për rrjedhojë, akuzat për përhapjen e Islamit nëpërmjet forcës dhe imponimit janë të pabaza dhe tendencioze. Këtu duhet ta përmendim edhe faktin tjetër, se osmanlinjtë i janë përmbajtur me rigorozitet porosisë islame në raport me ithtarët e feve të tjera, si dhe kanë respektuar atë që është thënë në Kuran në lidhje me pranimin e Islamit: “S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra.” (El Bekare, 256)
Në përmbajtjen e këtij ajeti dhe të ajeteve të tjera gjendet përgjigjja se pse myslimanët asnjëherë nuk i kanë detyruar jomyslimanët që ta pranojnë Islamin. Të parët tanë e kanë pranuar Islamin për shkak të bukurisë, mirësive dhe universalitetit të mësimeve të tij, që e udhëzojnë njeriun në rrugën e vërtetë në këtë botë, si dhe i japin mundësinë e shpëtimit në botën tjetër.
Se vërtet e kemi pranuar Islamin vullnetarisht, duhet të punojmë në largimin dhe shfuqizimin e të gjitha falsifikimeve historiografike.
Prandaj kërkohet një punë më e vendosur për të shpjeguar metodat dhe qëllimet e tyre tendencioze sharlatanë dhe mitomanë. Fjala është për një gënjeshtër dhe dezinformim të vrazhdë.
Andaj, mos të lejojmë që përmes falsifikimit të manipulohet historia jonë.
Dr. Ajni Sinani