Nënë, Muhamedi a.s., e thotë të vërtetën!
“O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues, dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues.” (Ahzab, 45-46)
Kështu do t’i thoshte Jasiri, njëri nga shokët e Pejgamberit a.s., nënës së tij, e cila akoma nuk ishte bërë myslimane. “Po” – biri im, – do t’i thoshte e ëma, kur kishin filluar t’i shndrisnin shkëndijat e dritës kuranore në zemrën e saj. “Po, Muhamedi a.s., është i drejtë. Ai e thotë të vërtetën, ai nuk gënjen, nuk mashtron, është i mirë, ndihmon të dobëtit dhe jetimët…”
Këtë u mundova t’ia thosha një orientalisti. Këtë duam t’ua themi të gjithë njerëzve. Para tri vjetësh, zhvillova një bisedë rreth islamit me një orientalist nga një shtet i Evropës Lindore. Për ata që nuk e dinë, orientalistët janë studiuesit jomyslimanë që e studiojnë islamin. Gjatë bisedës me të, e pyeta se çfarë mendimi kishte për Muhamedin a.s., nga gjithë ajo që e kishte lexuar?! I thash, dua mendimin tuaj, çfarëdo qoftë ai. Ai mu përgjigj: “Kam mendim të mirë.” Vazhdova duke i thënë: “A mendoni se Muhamedi a.s., ishte vërtet i dërguar i Zotit, sikurse të dërguarit e tjerë, apo thjesht ishte një njeri i urtë dhe reformator religjioz?”
Më shikoi i heshtur. I thashë, kam lexuar historianin e madh britanik, Thomas Karlajlin, që thotë: “Muhamedi duhet të ketë qenë vërtet i dërguar i Zotit. Përndryshe, nëse thjesht ishte një pretendues a mashtrues, atëherë s’do të kishte kuptim jeta. Si mundet që një mashtrues, të sjellë një fe që ndiqet nga miliona e miliona njerëz…”, madje është aq shumë e përhapur dhe ka rritjen më të madhe?!
I kujtova se Muhamedi a.s., ishte i njohur në Meke nga bashkëqytetarët e tij si El Emin – i ndershëm e besnik, që nuk kishte gënjyer asnjë njeri në jetë. Prandaj, si mundet që një njeri që s’kishte gënjyer për çështjet e kësaj bote, të gënjente dhe të pretendonte rrejshëm për Zotin?! E pyeta, a keni menduar ndonjëherë, se përse Muhamedi a.s., na urdhëroi të falim namazin 5 herë në ditë. Sikur të na linte vetëm me lutjen e ditës së premte. A nuk do të kishte më shumë pasues?! Pse kërkoi që të pastrohemi dhe të jemi me abdes për çdo namaz? Pse na urdhëroi që të zgjohemi nga gjumi dhe të falim namaz para se të lind dielli? Pse zgjohej natën dhe falte namaz nate derisa i ënjteshin këmbët, sa kohë që nuk shihte asnjë njeri, veçse bashkëshortes së tij? Mashtruesi mund të shtiret para të tjerëve dhe të përpiqet t’i mashtrojë ata, por jo edhe veten e tij. Pse kërkoi që të agjërohet një muaj i tërë?
I tregova rastin kur Muhamedit a.s., i kishte vdekur Ibrahimi i vogël dhe kishte qëlluar zënia e diellit. Njerëzit kishim filluar të flisnin se dielli shprehte pikëllimin për vdekjen e djalit të tij. Muhamedi a.s., nuk i shfrytëzoi thëniet e tyre në favor të tij, përkundrazi, ai tha se zënia e diellit është fenomen natyror, që s’ka të bëjë me vdekjen e asnjë peroni. Kur paria e Mekës ia ofruan atij që të ishte i pari i Mekës dhe që t’ia plotësonin të gjitha dëshirat, me kusht që të mos fliste kundër zotave të tyre, ai refuzoi duke thënë fjalët e njohura:
“Sikur të ma japin diellin në dorën e djathtë dhe hënën në të majtë, nuk do të tërhiqesha nga kjo rrugë derisa të triumfojë fjala e Zotit.” A mund të dalin këto fjalë nga goja e një pretenduesi?! Ai jetoi i thjesht dhe jo i pasur, larg kërkesave materiale e ambicieve të kësaj bote. Kur paria e Mekës ia ofruan kompromisin, që një vit të adhuronte idhujt e tyre dhe vitin tjetër ata do ta adhuronin Allahun, Muhamedi a.s., e refuzoi. Pse nuk e pranoi?!
Pse iu desh që t’i sfidonte poetët dhe oratorët arab përmes Kuranit, duke kërkuar nga arabët që të sillnin diç të ngjashme me Kuranin fisnik. Çfarë iu desh që t’i hynte një sfide të rrezikshme e të panevojshme, me ç’rast, nëse do të mposhtej, do të merrte fund thirrja e tij. Pse u desh, që nëse ai do të ishte autor i Kuranit, që të mohonte meritat e tij rreth Kuranit, duke thënë se ai nuk është autor i Kuranit?!
Kujtova se si Muhamedi a.s., kur hyri triumfues në Meke, ishte hipur mbi deve dhe kishte ulur kokën sikur të binte në sexhde, në shenjë mirënjohje dhe falënderimi ndaj Krijuesit për këtë fitore. Ai mund të hynte kokëlartë dhe me arrogancë, sikur bëjnë triumfuesit nga ngazëllimi gjatë ngadhënjimit të tyre. I kujtova edhe sjelljet e mëshirshme të tij ndaj të tjerëve. Në sytë e tij pash se ishte i prekur thellë dhe miratonte fjalët e mia. Ai ishte i humbur në mendime. Kur u ngritëm tha: “Kjo bisedë ishte shumë me rëndësi për mua, ka ndryshuar shumë gjëra tek unë, më ka shtyrë të mendoj thellë, të mendoj ndryshe.” Prandaj, me thirrjen tonë me urtësi, t’i nxisim njerëzit të mendojnë më thellë, më ndryshe ndaj Islamit, të kuptojnë të vërtetën.
Dr. Ajni Sinani