Kur iluzioni dhe imazhi zëvendësojnë të vërtetën
Interneti dhe televizioni mbartin një gamë të gjerë të burimeve të informacionit dhe shërbimeve, por, ato kanë edhe dizavantazhet e veta. Sa më shumë që i përdorin, aq më të varur bëhen njerëzit prej tyre. Ato po shformojnë realitetin dhe po ndryshojnë zakonet dhe stilin e jetës.
Allahu e veçoi njeriun nga krijesat e tjera duke i dhënë mendjen. Atij i dhuroi edhe pesë shqisat për ta njohur botën lëndore. Bota virtuale ku dominon perceptimi vizual në jetën njerëzore po bëhet mjaft e rrezikshme. Ajo po i kthen anëtarët e saj në spektatorë pasivë. Aty dominon shikimi e jo mendimi e të parët me zemër. Në këtë epokë të civilizimit të ekranit, sikurse shprehet dr. Mehmet Gormez, njeriu po ndërton marrëdhënien e tij me veten, me tjetrin dhe me botën përmes imazhit, e jo përmes së vërtetës.
Kurani insiston në kultivim e mendësisë shkencore dhe vrojtimin e argumentin në çështjet e botës fizike. Njeriu duhet të vë në funksion krahas syve të tij edhe shqisat e tjera, sikurse edhe mendjen/arsyen dhe zemrën:
“Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër (efideh), ashtu që të jeni falënderues.” (En Nahl, 78).
Prandaj, që të kemi një tablo dhe kuptim të vërtetë kërkohet njohje e mendjes, kuptim i zemrës dhe perceptim shqisor. Njëkohësisht njeriu duhet të pasojë shpalljen hyjnore rreth botës përtej lëndore dhe për t’u pajisur me dije mbi qëllimin e jetës, vlerat dhe kualitetet etike. Ai si një qenie inteligjente mund të besojë vetëm me një kuptim të plotë.
Kurani e emërton si shikim perceptimin e ekzistencës fizike: “Thuaj: “Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i gënjeshtarëve.” (El Enam, 11)
Islami e hedh poshtë mendësinë mitologjike që jepet pas iluzioneve e besëtytnive që beson çdo gjë pa kurrfarë argumenti dhe logjike.
Perceptimi shqisor është gjithçka që ne kapim përmes pesë shqisave tona. Perceptimi vizual është vetëm një lloj i këtij perceptimi dhe një nivel i njohjes përmes syve në suaza vetëm të pamjes, formës e imazhit. Reduktimi i të kuptuarit vetëm përmes imazhit është jo i plotë.
Një qasje e tillë pamundëson që një person të njohë Zotin e tij, të besojë në të, sepse Atë nuk e arrijnë shikimet (la tudrikuhul ebsar): “Shikimet nuk mund ta përfshijnë (arrijnë) Atë. Ai i përfshinë shikimet e të gjithëve.” (El Enam, 103). Përmes imazhit, nuk mund të ndërtohet besimi i myslimanit as në botën e gajbit. Iluzionet, imazhi, forma dhe pamja janë bazë e shirkut.
Ndërkaq njohja apo perceptimi i cili vjen nga rrënja e fjalës arabe “dereke” (me arrit), është një koncept i logjikës, filozofisë dhe psikologjisë.
Nëpërmjet mendjes njeriu merr perceptimet, kupton, mediton dhe nxjerr konkluzione. Perceptimi ose kuptimi mendor është arritja e diçkaje përmes soditjes, kundrimit dhe përsiatjes. “… dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran, 192).
Që të arrihet deri te kuptimi i plotë i realitetit, duhet që vrojtimet ndijore të përcillen me vrojtimin e asaj që Kurani e quan fuad ose kalb, d.m.th. me vrojtimin e zemrës:
“Madje, Ai e formëson atë dhe nga ana e vet i jep shpirtin atij dhe Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parët e me zemër, e pak send është ajo që ju falënderoni.” (Es Sexhde, 7-9) Përmes zemrës njeriu përdor logjikën dhe nxjerrë përfundime prej premisave. Perceptimi apo njohja e zemrës është të kuptosh dhe të konceptosh diçka me maturi dhe largpamësi, duke ia bashkëngjitë edhe perceptimin mendor.
Rreziku më i madh me të cilin përballen qeniet njerëzore sot është vdekja e meditimit dhe privimi i njohjes së zemrës.
Dr. Ajni Sinani